Mjekësi e përgjithshme

mar112024

Antibiotikët. Raporti i ri evropian

Në vendet ku është reduktuar konsumi i antibiotikëve, si te kafshët, ashtu edhe te njerëzit, është konstatuar një reduktim i baktereve rezistente ndaj antibiotikëve. Këtë e tregojnë analizat e tendencave të konsumit të antimikrobikëve dhe tendencave të ndjeshmërisë ndaj Escheria Coli (E.Coli), të kryera nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe të përmbledhura në JIACRA IV, raporti i katërt i përbashkët i analizës së integruar të konsumit të barnave antimikrobike dhe të shfaqjes së rezistencës antimikrobike ndaj baktereve që vijnë nga njerëzit dhe nga prodhimi ushqimor prej kafshëve. Ky raport paraqet të dhënat e grumbulluara kryesisht në vitet 2019-2021 mbi marrjen e antibiotikëve dhe mbi rezistencën antimikrobike në Evropë.

Në veçanti, është hulumtuar periudha 2014-2021, gjatë së cilës administrimi i antibiotikëve te kafshët për prodhim ushqimor u reduktua me 44%. Gjithashtu, u konstatua se bakteret E. Coli, si te kafshët, ashtu edhe te njerëzit, po bëhen më pak rezistente ndaj antibiotikëve gjatë pakësimit të konsumit të përgjithshëm të antibiotikëve. Në një shënim thuhet se: "Kjo tregon se tendencat shqetësuese, të lidhura me rezistencën ndaj antibiotikëve, mund të ndryshohen me ndërmarrjen e veprimeve dhe me politikat e duhura".

Gjithashtu, raporti tregon se te njerëzit, përdorimi i grupeve të rëndësishme të antibiotikëve, të tilla si: karbapenemet, cefalosporina e gjeneratës së tretë dhe të katërt, si edhe kinolonet, lidhet me rezistencën ndaj këtyre antibiotikëve në E. Coli te njeriu. Po njësoj, përdorimi i kinoloneve, polimiksinës, aminopenicilinës dhe tretraciklinës te kafshët e destinuara për prodhim ushqimor lidhet me rezistencën ndaj këtyre antibiotikëve, e cila konstatohet te bakteret E. Coli te kafshët e destinuara për prodhim ushqimor. Më tej, rezistenca bakteriale te njerëzit mund të lidhet edhe me rezistencën bakteriale te kafshët e destinuara për prodhim ushqimor. Dy shembuj të evidentuar në raport janë Campylobacter jejuni dhe Campylobacter coli, të cilët mund të jenë të pranishëm te kafshët e destinuara për prodhim ushqimor dhe mund të transmetohen te njerëzit përmes ushqimit.

Qasja One Health (e zbatuar nëpërmjet bashkëpunimit të ECDC, EFSA dhe EMA) dhe rezultatet e këtij raporti, kërkojnë:
- Përpjekje të vazhdueshme për luftimin e rezistencës antimikrobike në vend, në vendet e BE-së dhe në botë, përsa u përket kafshëve të destinuara për njeriun dhe për prodhim ushqimor;
- Mbikëqyrje të harmonizuar të konsumit të antimikrobikëve dhe monitorim të rezistencës antimikrobike te njerëzit dhe kafshët;
- Studime që synojnë të kuptuarit më të mirë të përhapjes së rezistencës antimikrobike

"Është thelbësore të bëhen përpjekje të mëdha për reduktimin e konsumit jo të nevojshëm të antibiotikëve, me qëllim përballimin e cenimit të shëndetit publik, të përfaqësuar nga rezistenca antimikrobike. Për më tepër, përforcimi i programeve të imunizimit dhe përmirësimi i praktikave të parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve në komunitete dhe struktura shëndetësore, janë thelbësore për reduktimin e kërkesave për antibiotikë", pohon drejtuesi i mëparshëm i ECDC, Andrea Ammon.

"Përdorimi i reduktuar i antibiotikëve në prodhimin shtazor jep frytet e veta: në pjesën më të madhe të vendeve që kanë ulur përdorimin e antibiotikëve, është vëzhguar një reduktim i niveleve të rezistencës. Kjo do të thotë që përpjekjet kombëtare funksionojnë. Gjithashtu, ky fakt evidenton edhe angazhimin e BE-së në qasjen One Health, duke shpëtuar si kafshët, ashtu edhe shëndetin publik botëror", pohon drejtori ekzekutiv i EFSA, Bernhard Url.

"Qasja ndaj të dhënave të besueshme mbi konsumin dhe rezistencën e individëve dhe kafshëve bën vërtet diferencën në luftën kundër rezistencës antimikrobike. Nëpërmjet projekteve të përbashkëta, si JIACRA, vendet evropiane marrin informacione të çmuara mbi ndikimin e masave që zbatojnë. Kjo u jep mundësi të ndërmarrin veprime të mëtejshme në nxitjen e përdorimit të kujdesshëm të antibiotikëve", përfundon drejtori ekzekutiv i EMA, Emer Cooke.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>