Mjekësi e përgjithshme

mar112024

Raporti i ECDC: Numër i lartë infeksionesh seksualisht të transmetueshme në Evropë

Qendra Evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (ECDC) raporton një shtim shqetësues të rasteve të sifilizit, gonorresë dhe klamidias në Evropë. Raportet e fundit epidemiologjike vjetore mbi tendencat e SST-ve në BE/HEE demonstrojnë se në vitin 2022, numri i infeksioneve të sinjalizuara është rritur ndjeshëm me 48% për rastet me gonorre, 34% për ato me sifiliz dhe 16% për klamidia, krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu, janë shtuar dukshëm edhe rastet me limfogranulomë veneriane dhe me sifiliz kongjenital, transmetuar nga nëna te fetusi. Për këto arsye, ekspertët evidentojnë nevojën për të vepruar me urgjencë për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të SST-ve dhe zbehjen e ndikimit të tyre në shëndetin publik.


"Përballimi i kësaj rritjeje të konsiderueshme të rasteve të SST-ve kërkon vëmendje urgjente dhe përpjekje të përqendruara. Testet, trajtimi dhe parandalimi janë qendra e çdo strategjie afatgjatë", thekson drejtuesja e ECDC, Andrea Ammon, duke renditur prioritetet për luftimin e SST-ve, të tilla si: "Edukimi mbi shëndetin seksual, duke shtuar qasjen ndaj testeve dhe shërbimeve terapeutike, duke luftuar kështu stigmën që lidhet me këto infeksione. Iniciativat mbi edukimin dhe ndërgjegjësimin janë thelbësore që individët të bëjnë zgjedhje të informuara mbi shëndetin e tyre seksual. Nxitja mbi përdorimin e prezervativit dhe mbi një dialog të hapur rreth sëmundjeve seksualisht të transmetueshme mund të ndihmojë reduktimin e shpejtësisë së transmetimit.

ECDC, risjell se edhe pse infeksionet si klamidia, gonorrea dhe sifilizi janë të trajtueshme, ato mund të shkaktojnë ndërlikime të rënda nëse nuk trajtohen. Ndër rreziqet e mundshme, janë edhe sëmundja inflamatore pelvike, apo dhimbja kronike. Por jo vetëm kaq, klamidia dhe gonorrea mund të shkaktojnë sterilitet, ndërsa sifilizi mund të shkaktojë shqetësime neurologjike dhe kardiovaskulare. Sifilizi i patrajtuar gjatë shtatzënisë mund të nxisë pasoja të rënda te fetusi.

Në kuadër të shtimit të SST-ve në Evropë, ECDC nxit zbatimin e masave proaktive për mbrojtjen individuale dhe të partnerit. Testet për këto sëmundje, sidomos për ata që kanë partner të ri apo partnerë të shumtë, janë thelbësore për një diagnostikim të hershëm dhe për një trajtim të shpejtë. Duke qenë se disa nga këto infeksione mund të jenë asimptomatike dhe të transmetohen pa e kuptuar, është e rëndësishme që partnerët seksualë të ekzaminohen përpara se të kryejnë marrëdhënie. Për më tepër, ata që mendojnë se janë prekur nga një SST, duhet të konsultohen menjëherë me mjekun, pasi trajtimi i shpejtë është shumë i rëndësishëm për parandalimin e transmetimit të mëtejshëm dhe të ndërlikimeve të mundshme.

BE këmbëngul mbi rëndësinë e masave proaktive për përballimin e shtimit të rasteve me SST dhe për mbrojtjen e shëndetit publik. "Një nga mënyrat më efikase për parandalimin e SST-ve është kryerja e marrëdhënieve të sigurta", theksojnë ekspertët, duke rekomanduar përdorimin e rregullt dhe të duhur gjatë marrëdhënieve seksuale. Thirrja e fundit është për një komunikim të hapur dhe të sinqertë mbi shëndetin seksual me partnerin, i cili mund të lehtësojë reduktimin e rrezikut për transmetim të SST-ve dhe të nxisë shëndetin e përgjithshëm.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>