News

maj152015

Urdhri i Mjekut, Fatmir Brahimaj: Heqja e licencës së mjekëve është masë e rëndë

tags: UMSH

Pas daljes së rezultateve të krediteve të mjekëve profesionistë nga Qendra Kombëtare Edukimit në Vazhdim, Urdhri i Mjekëve refuzon t'u heqë licencën mjekëve që kanë rezultuar me zero kredite. Sipas kreut të Urdhrit të Mjekëve, zotit Fatmir Brahimaj, i cili sapo është zgjedhur në këtë pozicion, në statutin e Urdhrit të Mjekëve nuk ka asnjë klauzolë ligjore e cila sanksionon heqjen e licencës së mjekut i cili nuk ka përmbushur kreditet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për të mbajtur vendin e punës: "Heqja e licencës është një masë e rëndë për mjekun, ajo do të cenonte marrëdhënien mjek-pacient, duke ulur në maksimum besimin e pacientit ndaj mjekut, Urdhri i Mjekut nuk do të heqë licencën e asnjë mjeku me 0 kredite, por ne do të bëjmë propozimet tona në mbledhjen e bordit të ricertifikimit", shprehet kreu i Urdhrit, Fatmir Brahimaj. Nga rezultatet përfundimtare të publikuara nga Qendra Kombëtare Edukimit në Vazhdim ka rezultuar se 199 mjekë dhe 451 dentistë e farmacistë bashkë janë me 0 kredite. Sipas një urdhri të Ministrit të Shëndetësisë të dalë kohë më parë, të gjithë mjekët profesionistë, stomatologët dhe farmacistët që do të rezultonin me 0 kredite mbas 5 vitesh nga afati i kreditimit, do t'u shpallej vakant vendi i punës. Rezultatet u janë paraqitur urdhrave përkatës për heqjen e licencës, por kjo pritet të mos zbatohet. Ndërkohë edhe vetë Ministria e Shëndetësisë duket se nuk po merret më me këtë çështje, për ta rihapur atë pas procesit të zgjedhjeve të 21 qershorit. 

Përgatiti: Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>