News

mar232017

Gabimet në kirurgjinë estetike në Shqipëri shkaktohen kryesisht nga mjekë të huaj, flet specialisti

tags: kirurgji

Mediat e huaja dhe vendase  i dhanë jehonë ditët e fundit problematikës së tregut kaotik të kirurgjisë estetike në Shqipëri, treg të cilit i drejtohen shumë pacientë të huaj të shtyrë nga kostot e favorshme të ndërhyrjeve. Por në një intervistë për INTV, mjeku kirurg i ORL-së, Bledi Nini, përmend edhe anën tjetër të medaljes: gabimet ndaj pacientëve bëhen në të shumtën e rasteve nga mjekë të huaj, të cilët vijnë në Shqipëri jo vetëm për arsye fitimi, por edhe për të marrë eksperiencë. "Mediat e huaja e shohin në dy plane, e para në planin e konkurrencës sepse pakësohet puna për mjekët italianë, grekë etj., dhe ana tjetër ka të bëjë me sigurinë e pacientit. Në përgjithësi mjekët shqiptarë të kirurgjisë plastike janë mjekë me eksperiencë, kanë investuar në treg dhe me rezultate të mira. Mjekët e huaj që vijnë janë mjekë të cilët nuk njihen, shpesh janë të pakontrolluar, mund të jenë edhe të palicensuar. Për hir të së vërtetës kanë ndodhur aksidente me pacientët shqiptarë dhe përgjithësisht u kanë ndodhur këtyre mjekëve. Pyetja është pse? Ndodh sepse janë mjekë të cilët nuk kanë eksperiencën e duhur dhe e shohin Shqipërinë si një vend fitimi".
Dr. Nini nënvizon si problem edhe neglizhencën e mjekëve të huaj në fazën post-operatore: "Kemi shumë raste që na vijnë pacientë me probleme të mëdha dhe detyrohen ta ribëjnë edhe një herë ndërhyrjen. Këto janë operacione delikate të cilat duan një ndjekje të vazhdueshme në kohë të pacientit. Është e pamundur që ta operosh pacientin të premten, të dielën të marrësh valixhen dhe të kthehesh. Ky pacient mbetet komplet i pambuluar nëse do ketë një komplikacion. Interventi mund të dështojë thjesht sepse nuk i është bërë një ndjekje e mirë pacientit".
Në fund, sipas mjekut përgjegjësia nuk është vetëm e kirurgëve të huaj, por edhe e pacientëve të cilët nuk informohen paraprakisht dhe marrin për të mirëqenë faktin se i huaji është sinonim i profesionalizmit: "Është një treg pak i vështirë për të zgjedhur, por gjithsesi nuk duhet vendosur thjesht se mjeku është i huaj. Këto janë intervente që kanë të paktën 20 vjet që janë realizuar në Shqipëri nga mjekët shqiptarë. Sigurisht që një njeri me mend i mendon këto gjëra, pra një mjek i huaj që ka punë nuk ka pse të vijë në Shqipëri, ata që nuk e gjejnë këtë mundësi në vendet e tyre, i drejtohen tregjeve kaotike ku përveç fitimeve realizojnë edhe objektivat e tyre profesionale. Baza është informacioni, konsulta që bën me mjekun. Unë mendoj që duhet të marrësh një opinion të dytë, qoftë dhe një të tretë dhe pastaj të vendosësh".

 

Burimi: INTV


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>