News

kor172018

Hipertensioni. Me kufijtë e rinj, shtohen rastet në vendet e varfra

Nivelet e hipertensionit në vendet në zhvillim janë të ngjashme me ato në Shtetet e Bashkuara nëse do të vihet në përdorim përkufizimi i ri për sëmundjen, në të cilin, kufiri maksimal i tensionit normal është 130/80 mmHg, përcaktuar nga Kolegji Amerikan i Kardiologjisë (ACC) dhe nga Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA). Këtë sugjerojnë rezultatet e një studimi të ri, të udhëhequr nga Gulam Muhammed Al Kibria (Universiteti i Merilendit në Baltimorë).

"Me përkufizimin e vjetër të hipertensionit që fillonte nga 140/90 mmHg, përhapja e kësaj patologjie në vendet në zhvillim ishte më e ulët se në Shtetet e Bashkuara, por me këtë përkufizim të ri, nuk duket të ketë shumë dallime mes pjesëve të ndryshme të botës. Hipertensioni godet thuajse gjysmën e popullsisë botërore", konfirmon Al Kibria.

Kërkuesit janë përpjekur të shqyrtojnë përhapjen e hipertensionit sipas përkufizimit të ri në Nepal, pasi në këtë vend kanë arritur të gjejnë disa të dhëna të besueshme mbi tensionin e gjakut.

Kështu, analiza ka treguar se 44.2% e njerëzve që i ishin nënshtruar matjes së tensionit, vuanin nga hipertensioni, sipas udhëzimeve ACC/AHA të vitit 2017, krahasuar me 21,2% sipas përkufizimit të vjetër. Një studim i ngjashëm në SHBA, kishte treguar se përhapja e hipertensionit ishte rritur nga 31,6% sipas përkufizimit të vjetër, në 45,6% me përkufizimin e ri. Gjithsesi, sipas autorëve, përkufizimi i ri i hipertensionit mund të ketë një ndikim të kufizuar në vendet në zhvillim, pasi pjesa më e madhe e njerëzve nuk e matin tensionin, kështu që rastet e tjera ka shumë mundësi të mos identifikohen.

Mesazhi se thuajse gjysma e popullsisë është me hipertension, nga ana tjetër, mund t'i nxisë qeveritë të bëjnë më shumë për të sensibilizuar popullsinë për këtë problem.

Në një koment të tijin, David A. Watkins (Universiteti i Uashingtonit) vëzhgon se studimi ngre pyetje të rëndësishme në lidhje me burimet e trajtimit të hipertensionit në vendet e varfra.

"Përshtatja kryesore e këtyre rezultateve për shëndetin publik në Nepal dhe në vende të tjera të varfra mund të jetë afrimi ndaj udhëzimeve të reja me kujdes, veçanërisht sepse mund të kenë pasoja me ndikim të gjerë në sistemet e asistencës shëndetësore bazë, të cilat që tani, janë të mbingarkuara", përfundon editorialisti.

 

JAMA Network Open.2018;1(3):e180606. doi:10.1001/jamanetworkopen.2018.0606
https://jamanetwork.com/journals/jamanetworkopen/fullarticle/2687386

JAMA Network Open.2018;1(3):e180778. doi:10.1001/jamanetworkopen.2018.0778
https://jamanetwork.com/journals/jamanetworkopen/fullarticle/2687


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>