News

nën162018

Infermieri luan rolin e mjekut, në disa qendra shëndetësore në vend

Në të gjithë vendin, numërohen 450 qendra shëndetësore, por në disa prej tyre, shërbimi mjekësor ndaj banorëve ofrohet nga infermieri. Bëhet fjalë për zona rurale ku mjeku, ose është larguar drejt Gjermanisë, ose ka fituar specializimin dhe vendi i tij ka mbetur vakant.

Ministria e Shëndetësisë e pranon këtë fakt, por nuk jep një shifër të saktë se në sa qendra nuk ofrohet shërbimi mjekësor nga mjekët. Merita Xhafaj, drejtore e politikave në ministri, thotë se janë duke u punësuar mjekë për këtë qëllim.

"Po, ka disa qendra shëndetësore ku ofrohet shërbimi nga infermieri. Unë nuk kam një shifër të saktë, por jemi duke i mbuluar këto vende bosh me mjekë me kontratë", shprehet zonja Xhafaj.

Por, në fakt, ikja e mjekëve drejt Gjermanisë ka krijuar boshllëqe në të gjithë sistemin. Vetëm gjatë këtij viti, llogaritet të kenë ikur 160 mjekë. Xhafaj thotë se nëpërmjet portalit do të punësohen mjekë të rinj. "Ne kemi hapur thirrjet për qarkun e Durrësit, për qarkun e Lezhës, Tiranës dhe Shkodrës. Ajo që dua të them është se ka pasur më shumë aplikime sesa vende, kështu që do të negociohet me mjekët, që të shkojnë në ato vende ku ka nevojë", shprehet drejtorja e politikave në ministrinë e Shëndetësisë.

Problemi më i madh është në zonat veriore dhe në ato verilindore të vendit. Një mjek duhet të mbulojë disa fshatra dhe kur banori i një fshati ka nevojë për shërbim, mjeku atë ditë ndodhet në një fshat tjetër, pa marrë parasysh këtu që rrugët janë të vështira dhe në dimër bllokohen nga dëbora. Nga ana tjetër, mjekët e rinj që përfundojnë studimet, nuk kthehen për të ofruar shërbim në vendin e lindjes, pasi pjesa më e madhe punësohen në Tiranë.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>