News

jan142020

Dr. Fatmir Brahimaj, President i UMSH: Mjekët, të predispozuar për probleme shëndetësore, më shumë se profesionet e tjera

Kreu i Urdhrit të Mjekut, dr. Fatmir Brahimaj referon se mjekët janë të predispozuar të shfaqin më shumë shqetësime shëndetësore se profesionet e tjera, pasi këtë ua kushtëzon puna. Duke iu referuar studimeve të kryera në vende të tjera, Brahimaj thekson se në një kampion prej 6000 mjekësh, në një periudhë 5-vjeçare, ka rezultuar se 60% tyre kanë shfaqur probleme shëndetësore.

Sipas Brahimajt, më së shumti është stresi me të cilin përballet mjeku, ai që na çon në të tilla rezultate, por nuk mbeten pas mbingarkesa në punë, turnet e shërbimit roje, përballja me pacientët dhe të afërmit e tyre të kulturave të ndryshme, kushtet jo të përshtatshme të punës, ashpërsimi i marrëdhënieve mjek-pacient, mungesa e vlerësimit në punë e të tjera.
 
Por, cilat janë problemet shëndetësore që prekin më shumë mjekët? Dr. Brahimaj rendit ato shqetësime qe ata trajtojnë te pacientët e tjerë.
"Mjekët vuajnë nga hipertensioni arterial, diabeti, çrregullimet muskuloskeletike, sëmundjet alergjike, si dhe sëmundje të tjera kronike. Pra, siç shihet, çështja s'është për t'u neglizhuar, nuk është thjesht pakujdesi e vetë mjekëve dhe nuk lidhet me proverbin "këpucari nuk i rregullon këpucët e tij".

Dr. Brahimaj konkludon se duhet bashkëpunuar me institucionet shtetërore shëndetësore për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e mjekëve dhe kështu, rrjedhimisht, sigurojmë shëndetin e pacientëve.

Më poshtë, shkrimi i plotë.

Alma Demiraj

  

 

CILËSIA DHE SIGURIA E KUJDESIT SHËNDETËSOR LIDHET EDHE ME SHËNDETIN E MJEKËVE


Dr. Fatmir Brahimaj

 

Për vetë detyrën e shenjtë që kryejnë, rolin dhe misionin e tyre, në të gjitha vendet, mjekët konsiderohen pjesa elitare e shoqërisë, një aset i vyer dhe i pazëvendësueshëm për të. Krijimi, trajnimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i kësaj bashkësie është i kushtueshëm dhe kërkon kohë relativisht të gjatë. Sigurisht, për këtë pasuri kombëtare duhet treguar vëmendje dhe kujdes i veçantë që të jetë e shëndetshme (fizikisht dhe mendërisht). Shëndeti i mjekëve ndikon direkt në cilësinë e kujdesit shëndetësor që ata ofrojnë, si dhe në sigurinë e pacientit. Kuptohet se sa i rëndësishëm është ky fakt për të patur shërbim shëndetësor cilësor.

Siç do të shtjellohet më tej, shqetësimi që ngre ky shkrim nuk është pa bazë, nuk është as sajesë apo ekzagjerim. Konstatimet dhe studimet e bëra në shumë vende të botës, vënë në dukje nevojën e angazhimit serioz dhe të menjëhershëm të mbarë shoqërisë për këtë problem. Në tetor 2018, në Asamblenë e Përgjithshme të WMA-së, presidenti i saj deklaron se mbi gjysma e mjekëve të botës vuajnë sindromën e burnout-it. Në disa studime të tjera evidentohen problematika të shumta që implikojnë shëndetin e mjekëve. Kështu, studimi 5 vjeçar (2013-2018) i bërë me 6,000 mjekë të Shoqatës Mjekësore Hungareze, flet për shqetësime dhe probleme shëndetësore në mbi 60% të tyre. Sipas studiuesve, mjekët janë të lodhur nga: mbingarkesa në punë, oraret e zgjatura në vazhdimësi në shërbim, shpeshtësia dhe teprimet me shërbimet e rojës sidomos në disa sektorë spitalorë; në përgjithësi mjekët ndjehen të pavlerësuar materialisht dhe moralisht. Kriminalizimi i gabimeve mjekësore, ashpërsimi i marrëdhënieve mjek-pacient nëpërmjet një tensioni të vazhdueshëm apo akte dhune që fatkeqësisht po bëhen më të shpeshta, ndikojnë shumë negativisht në shëndetin e mjekëve. Ata, në masë të konsiderueshme, paraqesin shqetësime nervore, çrregullime të gjumit, lodhje deri në burnout. Mjekët vuajnë nga hipertensioni arterial, diabeti, çrregullime muskuloskeletike, sëmundje alergjike, si dhe sëmundje të tjera kronike. Pra, siç shihet, çështja s'është për t'u neglizhuar, nuk është thjesht pakujdesi e vetë mjekëve dhe nuk lidhet me proverbin "këpucari nuk i rregullon këpucët e tij". Shëndeti i mjekëve ndikohet nga faktorë që kanë të bëjnë me të gjitha strukturat shoqërore dhe shëndetësore.

Në një referat të profesorit të psikiatrisë J. Redondo për Shoqatën Mjekësore Portugeze, të titulluar: "Dhuna kundër profesionistëve të kujdesit shëndetësor" (nga parandalimi në ndërhyrje konkrete) dalin të dhëna, problematika, sqarime dhe sugjerime konkrete, interesante dhe emergjente. Referuesi imponon rëndësinë e çështjes që në fillim, kur jep përkufizimin e Komisionit Evropian për dhunën.

Dhuna: "Çdo incident ku stafi është i abuzuar, kërcënuar apo sulmuar në rrethana që lidhen me punën e tij, duke përbërë një sfidë të qartë, ose të nënkuptuar për sigurinë, mirëqenien dhe shëndetin e tij".

Pra, këtu shihen qartë 3 aspekte të rëndësishme që duhen marrë në konsideratë:
- Format e dhunës: abuzim, kërcënim dhe sulme fizike.
- Dhuna nuk ndodh vetëm në vendin e punës, por rrethanat lidhen me punën.
- Dhuna përbën një sfidë për sigurinë, mirëqenien dhe shëndetin e punonjësve.

Është edhe një e dhënë tjetër në këtë studim që tërheq vëmendje. Nga 2002-2013, incidentet e dhunës serioze (që kërkojnë ditë pushimi nga puna për rikuperimin e dëmit) në vendet e punës ishin 4 herë më të shpeshta te profesionistët shëndetësorë sesa mesatarja e industrisë.
Në studim evidentohen shkaqet edhe brenda sektorit ku është risku më i madh, si:
- Kur punohet vetëm;
- Kur je gjithmonë në kontakt me publikun;
- Kur punohet me njerëz të stresuar (nga sëmundje kronike, të alkoolizuar apo droguar, me çrregullime neuropsikike, etj.);
- Kur punohet me mjete apo barna me vlerë;
- Kur je në sektor të shërbimit të urgjencës, reanimacione e salla operacionesh;
- Kur kushtet e punës janë jo të përshtatshme dhe mungojnë pajisje mjekësore apo barna, etj.

Studiuesit theksojnë se nivelet e larta të stresit te punonjësit shëndetësorë materializohen në çrregullime psikosomatike, dëmtohet shëndeti i tyre, por në të njëjtën kohë, edhe niveli i profesionalizmit të tyre, pra, cenohet cilësia dhe siguria e shërbimit të ofruar prej tyre. Nga studimi sqarohet se implikimet e dhunës janë:

Tek individi:
• Vuajtja dhe poshtërimi nga dhuna çon në mungesë motivimi për punën, humbjen e besimit dhe ulje të vetëvlerësimit.
• Kur situatat përsëriten, vërehen pasoja, si: sëmundje fizike, çrregullime psikologjike apo fillohet alkooli, duhani, droga, etj.

Në vendin e punës:
• Dhuna shkakton ndërprerje të menjëhershme apo të zgjatur të marrëdhënieve ndërpersonale, prishje të organizimit dhe mjedisit të punës, që çon në keqësim të cilësisë së shërbimit të ofruar, humbje të imazhit të institucionit shëndetësor, vështirësi për të punësuar apo mbajtur në punë njerëz të kualifikuar, etj.

Në komunitet:
• Dhuna çon eventualisht në probleme fizike dhe psikologjike, papunësi dhe fakte që ndryshojnë pozitën sociale të individit;
• Kostot e dhunës përfshijnë koston e shërbimit dhe rehabilitimit deri në integrimin e plotë të të dëmtuarve rëndë, papunësinë dhe ri-trajnimin e të dëmtuarve që humbin aftësinë për ri-bërjen e punës (paaftësi, invaliditet) apo humbin punën nga aktet e dhunës;
• Rrezikohet dhe aksesi i barabartë i publikut në shërbimin shëndetësor.

Pra, studiuesi thekson se kostot janë të shumta, direkte dhe indirekte, por sidoqoftë, disa gjëra janë shumë të qarta, si: ulja e motivimit, moralit, besimit, kreativitetit, imazhit; pra, keqësim i elementeve që ndikojnë në aftësinë, rendimentin, cilësinë dhe sigurinë e shërbimit të ofruar.
Por ajo që është e rëndësishme, thekson studimi, është: "Të kuptojmë se dhuna në vendin e punës nuk është një problem individual, i cili ndodh hera-herës, është një problem strukturor, por me shkaqe socio-ekonomike, kulturore dhe organizative". Prandaj kërkohet interesim, përfshirje dhe organizim serioz i mbarë strukturave të shoqërisë, pra, jo vetëm i administratës shëndetësore, mjekëve dhe personelit tjetër, pacientëve apo grupeve të tjera të interesuara direkt. Vetëm me koordinim dhe bashkëveprim të gjithanshëm, hartohen strategjitë e parandalimit dhe korrigjimit të pasojave të dhunës, nënvizon studiuesi.

Edhe nga të dhënat e një studimi të bërë nga UMSH-ja para 2 vjetësh mbi dhunën ndaj mjekëve në vendin tonë, rezultuan të dhëna shqetësuese. Fatkeqësisht, edhe te ne, dhuna ndaj mjekëve jo vetëm që ekziston (në të gjitha format e saj, nga verbale deri në fizike), por po shtohet. Për këtë, UMSH-ja në vitin 2018 kreu një anketim "Dhuna ndaj mjekëve" në të cilin rreth 1,000 mjekë plotësuan të dhënat që kërkoheshin në pyetësorin e dhënë.

Në përfundim të përpunimit të të dhënave rezulton që: 119 mjekë kanë përjetuar dhunë fizike, 381 mjekë dhunë verbale dhe shumë mjekë, dhunë psikologjike. Si pasojë e dhunës së ushtruar, 211 mjekë raportojnë të kenë dëmtime, ku: 28 mjekë kanë pësuar dëmtime të rënda, 69 mjekë kanë qenë të paaftë për punë dhe 114 prej tyre kanë pasur shqetësime të tjera. Nga sa raportojnë vetë pjesëmarrësit në anketim, veç stresit, terrorit dhe ofendimeve; mjekët raportojnë edhe për rënie të dëshirës për punë, zhgënjim, lodhje nervore, shqetësime e deri në burnout. Nuk duam të lëmë pa përmendur edhe një numër jo të vogël mjekësh që raportojnë të jetë ushtruar dhunë ndaj tyre, por pa pasoja të rëndësishme për ta. Për një fakt jemi të sigurt: se ndaj mjekëve ushtrohet dhunë, pavarësisht moshës, seksit, specialitetit, vendit të ushtrimit të profesionit. Shkaqet dhe pasojat e këtij fenomeni janë të njëjta me përfundimet si në studimet e sipërpërmendura.

Kolegji Amerikan i Mjekëve, në Qershor 2018, boton në "Annals of International Medicine" udhëzimet mbi detyrat dhe parimet që duhet të udhëheqin kolegët dhe institucionet, kur përballen me paaftësinë (shëndetësore) të një mjeku për të kryer funksionin e tij. Duke folur për këtë çështje, presidenti i Kolegjit Amerikan i Mjekëve, dr. Robert McLean së pari thekson faktin se: "Është një problem që përfshin si profesionistët, ashtu edhe të sëmurët" dhe vazhdon se: "pamundësia për të kryer detyrat e tij mund të ketë shumë arsye, ndër të cilat: lodhja e rëndë, ose rënia e aftësive njohëse ose motorike për shkak të moshës ose sëmundjes, përdorimi i substancave të ndaluara, etj.".
"Një mjek që konstaton se nuk është në gjendje të kryejë punën e tij me kompetencë, e ka për detyrë të kërkojë ndihmën e kolegëve të tjerë. Dhe, kur kjo nuk ndodh, vetë kolegët e tij janë përgjegjës për mirëqenien e pacientëve, duke e ndihmuar mjekun e paaftë që të marrë ndihmë", shkruajnë autorët, duke deklaruar se qasja duhet të jetë graduale, duke filluar me një bisedë të drejtpërdrejtë me personin në fjalë, nëse nuk është në diskutim siguria e pacientit.

Nëse, nga ana tjetër, dëmtimi i pacientit tashmë ka ndodhur ose konsiderohet i mundshëm në të ardhmen e afërt, është e nevojshme që profesionisti i paaftë të raportohet te komisionet e licencave ose mbikëqyrësit klinikë. Megjithatë, në dokumentin e Kolegjit Amerikan të Mjekëve, kompromisi i mundshëm i profesionalizmit të mjekut i referohet statusit aktual funksional dhe jo historisë së shkuar.

"Institucionet shëndetësore dhe urdhrat profesionalë duhet të garantojnë mbrojtje maksimale jo vetëm për sigurinë e pacientit, por edhe për mirëqenien e mjekut", përfundon McLean. Në një koment të redaksisë, Jeffrey Samet, drejtor i departamentit të Mjekësisë të Brendshme në Qendrën Mjekësore të Bostonit, shkruan: "Meritë e këtyre udhëzimeve është që, nga njëra anë të njihen investimet e mëdha të nevojshme për të patur mjekë të trajnuar mirë për të mirën e komunitetit dhe nga ana tjetër, të theksohet nevoja për t'u kujdesur për këto burime, duke i mbështetur dhe duke i trajtuar si të nevojshme, në rast të një dëmtimi".

Duke përfunduar, do të nënvizoja faktin se të gjithë studimet theksojnë domosdoshmërinë e vëmendjes së mbarë shoqërisë dhe veçanërisht atë të strukturave shtetërore dhe shëndetësore, për të vlerësuar rëndësinë e problemit dhe situatën e momentit.

Ne duhet të bëjmë detyrën dhe të ndërgjegjësojmë në të gjitha aspektet:
- Si qytetarë t'i shpjegojmë mbarë shoqërisë situatën ndaj kësaj çështjeje, duke nënvizuar se shëndeti i mjekëve lidhet me cilësinë e kujdesit shëndetësor që ata ofrojnë.
- Si kolegë, të mendojmë për organizime me të mira për të evidentuar shqetësimet e kolegëve mjekë dhe t'i ndihmojmë në shërimin dhe rehabilitimin e plotë.
- Si organizata profesionale, të punojmë për caktimin e kritereve që do të vlerësonin saktë gjendjen shëndetësore të kolegëve.
- Bashkëpunimi me institucionet shëndetësore shtetërore "Partneriteti me to" për të ruajtur shëndetin e mjekëve dhe sigurinë e pacientëve.

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>