News

maj92023

Kujdesi për lëkurën. Mjekja dermatologe Erjona Shehu: Dëmet në lëkurë shkaktohen nga 0-18 vjeç

Dielli i pranverës shkakton dëme në lëkurë. Mjekët dermatologë bëjnë thirrje që të bëhet kujdes në mbrojtjen e lëkurës gjatë gjithë vitit, pasi dëmet që shkaktohen në lëkurë nuk janë të dukshme dhe ato akumulohen ndër vite. Mjekja dermatologe Erjona Shehu bën thirrje për sa më shumë kujdes që në mosha të vogla.

"Për hir të së vërtetës, rreth 80% e dëmeve që shkaktohen në lëkurë ndodhin nga mosha 0-18 vjeç. Dielli ka dy efekte në lëkurë. Ka efektin e shpejtë që është dhe i dukshëm. Pra, lëkura mund të skuqet, mund të rripet, të bëhet me flluska apo të jetë e nxehtë në zonën ku është ekspozuar dhe mund të sjellë një sërë problematikash që nga krijimi i njollave, i çrregullimit të pigmentacionit, por ka edhe efektin e ngadaltë. Fillon dhe vendoset vit pas viti një dëm që për syrin tonë është i padukshëm, por shprehet pas të 45-ve, 50-ve me kanceret e para të lëkurës", thekson mjekja dermatologe Erjona Shehu.

Në vendin tonë shtohen çdo vit 45 raste të reja me kancer të lëkurës, nga ku melanoma është më agresiv.

"Melanoma është një prej këtyre kancereve i cili merr vëmendje të veçantë në dermatologji dhe onkologji, pasi është kanceri më agresiv. Ka një fatalitet të rritur prandaj edhe duhet të kapet në kohë. Që ne të shmangim si dëmet që shkaktohen në pigmentacion, ashtu edhe dëmet e shfaqura ndër vite, që manifestohen me kanceret e lëkurës, është e nevojshme që mbrojtja të jetë maksimale gjatë 365 ditëve të vitit",  shpjegon mjekja Shehu.

Edhe pse mendojmë se po kujdesemi për lëkurën duke zgjedhur një krem mbrojtës me faktor të lartë, mjekja dermatologe shpjegon se nuk është vetëm filtri ai që e mbron lëkurën.

"Nuk të mbron filtri i lartë sa të mbron frekuenca e aplikimit të kremit mbrojtës, çdo dy orë për trupin dhe çdo një orë, apo një orë e 30 për fytyrën duke pasur parasysh që edhe në rastet kur lëkura laget apo djersitet, kur e ka humbur atë filtrin e vet produkti duhet të riaplikohet sadopak kohë te kemi nga aplikimi i tij", shpjegon mjekja dermatologe.

Me afrimin e stinës së nxehtë rreziku për dëmtimin e lëkurës shtohet edhe më shumë, ndaj  mbrojtja e lëkurës nuk duhet neglizhuar gjatë gjithë vitit, si për të vegjlit dhe për të rriturit.

 

Alma Demiraj

 

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>