News

shk12024

Shpërthimi i fruthit në Shqipëri

Prof. Dr. Kuli: Vaksinoni fëmijët që të parandalojmë rrezikun e ndonjë epidemie

Situata e rënduar epidemiologjike me shumë viruse që qarkullojnë paralelisht, të tilla si: fruthi, gripi, varicela, virusi respirator sincicial e shumë viroza, ka bërë që në shërbimin e pediatrisë të shtrohen fëmijë me komplikacione të rënda pneumonie dhe infeksione në sistemin nervor, si meningjiti dhe encefalitë. Shefja e shërbimit infektiv në Pediatri, prof. dr. Xhorxhina Kuli, tha për doktor33 se shërbimi infektiv po punon më kapacitet të plotë dhe se në të janë të shtruar 35 pacientë të vegjël.
"Në këtë situatë, ku ndonëse kurba e infeksioneve nuk është më në ngjitje, por ka një qëndrueshmëri, kemi fëmijë me sëmundje, që janë vërtet të rëndësishme, pasi përveç pneumonive e bronkoliteve, kemi pasur edhe fëmijë të vegjël më meningjit dhe encefalite që fatmirësisht janë menaxhuar mirë dhe nuk kemi pasur fatalitete. Të gjitha këto viruse, apo viroza që po qarkullojnë, kanë shkaktuar prekje të sistemit nervor të pacientëve të vegjël, por nga ana tjetër, vetë virusi i fruthit apo gripi kalon direkt në tru, duke shkaktuar probleme madhore te fëmijët e vegjël", shprehet prof. dr. Kuli.

Deri më tani, janë konfirmuar 18 raste me fruth në laboratorin e ISHP-së, ndërkohë që në shërbimin infektiv janë dy fëmijë të dyshuar. Shefja e Shërbimit Infektiv, Xhorxhina Kuli bën thirrje për vaksinim ndaj fruthit, në mënyrë që të parandalohet ndonjë epidemi e mundshme, për aq kohë sa ka shumë fëmijë të pavaksinuar.

"Nëse do të vaksinoheshin të gjithë ata që nuk janë vaksinuar, ose ata që nuk kanë bërë dozën e dytë për të mbushur xhepat që janë krijuar nga mosvaksinimi, do të parandalonim ndonjë epidemi të mundshme, e cila nëse do të ndodhte, do të krijonte situata problematike sidomos te fëmijët e vegjël nga 0-1 vjeç.

Ne konstatuam që këtë vit kishim një grip që shfaqte një klinikë shumë agresive te të vegjlit, me temperaturë të lartë e cila zgjaste deri në një javë, por edhe që nuk mbizotërohej nga medikamentet dhe nëse do të kemi edhe një epidemi fruthi, situata do të jetë vërtet e komplikuar", shprehet prof. dr. Kuli.

Mjekja infeksioniste u kërkon nënave të respektojnë kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit dhe të mos besojnë informacione që e lidhin vaksinën e MMR-së me autizmin. "Nuk është provuar shkencërisht asnjë lidhje e kësaj vaksine me çrregullime të spektrit të autizmit", theksoi prof. Kuli.

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>