Kardiologji

mar52018

Aparaturat e implantueshme kardiake mund të bien pre e piratëve kibernetikë

Në një skenar fantastiko-shkencor të së ardhmes, hakerat kibernetikë, të motivuar nga politika, lakmia ose keqdashja, mund t'i godasin viktimat e tyre në zemër, në kuptimin e parë të fjalës.

Një artikull i Revistës e Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë (JACC) paralajmëron se hakerat mund të ndërhyjnë në pajisjet kardiake të implantuara, siç janë defibrilatorët apo pacemaker-at, duke i bërë ato të mos funksionojnë ose, më keq, të japin goditje elektrike vdekjeprurëse. Por jo vetëm kaq: sulmet malware ose ransomware mund të pengojnë monitorimin nga larg të pacientëve të zemrës, me pasoja lehtësisht të imagjinueshme. Artikulli, autor kryesor i të cilit është Adrian Baranchuk, profesor i asociuar i mjekësisë dhe fiziologjisë në Universitetin e Mbretëreshës në Ontario, është nënshkruar nga ekspertë të Këshillit të Elektrofiziologjisë në Kolegjin Amerikan të Kardiologjisë.

"Hakimi i aparateve shëndetësore nuk është një risi, pasi më parë kanë ndodhur sulmet informatike në pompat e insulinave për diabetikët në vitet 2011-2016", nis kërkuesi, duke saktësuar se ndonëse deri më sot nuk janë sinjalizuar sulme hakimi ose virusesh mbi aparatet kardiake, rreziku potencial ekziston.

"Aparatet mjekësore kanë qenë objekt që ka tërhequr vëmendjen e piratëve informatikë për më shumë se një dhjetëvjeçar, duke shkaktuar probleme sigurie të shumëllojshme në aparaturat mjekësore. Së fundi, mundësia që hakerat të mund të marrin në kontroll aparaturat kardiake, ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e medias, por edhe të pacientëve dhe të operatorëve të ndihmës mjekësore", shkruajnë autorët, duke nënvizuar se argumenti meriton një vlerësim të kujdesshëm në një botë gjithnjë e më të lidhur elektronikisht.

Në artikullin e JACC-ut, ekspertët e elektrofiziologjisë diskutojnë shkurtimisht aspektet e ndryshme të këtij kërcënimi relativisht të ri nën dritën e fakteve më të reja, nga i cili del në pah mundësia e hakimit të aparaturave kardiake.

"Qëllimi ynë është të ekzaminojmë rreziqet e mundshme për pacientët dhe efektin e rikonfigurimeve që mund të zhvillojnë hakerat, duke u përpjekur kështu të kontrastojmë kërcënimet e sigurisë kibernetike, duke u ofruar të dhëna prodhuesve, qeverive, shoqatave shkencore, mjekëve dhe pacientëve", përfundon Baranchuk-u.

 

J Am Coll Cardiol. 2018. Doi: 10.1016/j.jacc.2018.01.023
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29475627


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>