Kardiologji

mar12019

Implantohet për herë të parë zemra artificiale pa fije të jashtme

Një ventrikul artificiale pa kabllo ose bateri të jashtme është implantuar për herë të parë te njerëzit. Sipas asaj çka transmeton "Journal of Heart and Lung Transplantation", ndërhyrjet u kryen në Kazakistan dhe mes anëtarëve të ekipit ndërkombëtar të kirurgëve, ishte edhe Massimo Massetti, Drejtor i Kardiologjisë në Spitalin Universitar A. Gemelli IRCCS dhe profesor i kardiokirurgjisë në Universitetin Katolik të Romës.

"Ndërhyrjet, shpjegon Massetti, janë epilogu i një hulumtimi të madh, të kryer nga disa ekspertë, të cilët prej kohësh kanë filluar të studiojnë pajisje për mbështetjen mekanike të zemrës, domethënë, zemra artificiale të pjesshme, në gjendje për të funksionuar pa u ushqyer nga jashtë nga një bateri. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në përparimin e mjekësisë kardiovaskulare".

Sistemet e ndihmës për zemrën, ventrikulat artificiale, ka kohë që implantohen, por deri më tani ato janë lidhur me bateri të jashtme përmes një kablli: risia ka të bëjë me teknologjinë që lejon transmetimin e energjisë brenda kraharorit, ku gjendet një bateri e brendshme. "Teknika kirurgjikale, vazhdon Massetti, siguron implantimin brenda gjoksit, përveç pompës hidraulike që përbën ventrikulin artificial, edhe të një sërë pajisjeve: një bobinë elektromagnetike që lejon transformimin e energjisë elektromagnetike në energji elektrike dhe një bateri e brendshme e ringarkueshme".

Përmirësimet janë kryesisht dy llojesh: e para, më e dukshme, ka të bëjë me cilësinë e jetës për pacientët, të cilët do të çlirohen nga kjo "çantë" që mban bateritë dhe që përbënte një problem të madh, edhe nga pikëpamja psikologjike. Por, siç thekson Massetti, ekziston edhe një aspekt klinik i rëndësishëm: "Pa kabllot që kalojnë nëpër bark, ne shpresojmë të reduktojmë në mënyrë dramatike rrezikun e infeksioneve të rënda, të cilat në dy vjet pas implantit prekin sot 20%-30% të pacientëve".

Indikacionet janë për dy tipologji pacientësh, "mund të jetë në formë implanti-urë te subjektet në moshë të re që kanë nevojë për implant, por që kanë para një listë të gjatë pritjeje, por mund të aplikohen edhe te pacientët shumë të moshuar, veçanërisht nga 65 deri në 75 vjeç, të cilët nuk kanë më mundësi të bëjnë transplant dhe që mund t'i përdorin këto pajisje për gjithë jetën".

Tani për tani, do të vazhdojë aplikimi i ventrikujve artificialë pa fije në brendësi të studimit klinik që është në zhvillim e sipër në Kazakistan, por sapo të merren certifikatat e nevojshme shëndetësore, ato do të implantohen edhe në Evropë dhe në Itali.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>