Kardiologji

dhj162020

Shkaku kryesor i vdekjes nga sëmundjet e zemrës është dieta jo e shëndetshme

Sipas një studimi të botuar në "European Heart Journal - Quality of Care and Clinical Outcomes", më shumë se dy të tretat e vdekjeve në botë për shkak të sëmundjeve të zemrës mund të parandalohen me dieta më të shëndetshme. "Analiza jonë tregon se, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në vendet në zhvillim, dietat jo të shëndetshme, hipertensioni dhe vlerat e larta të kolesterolit në gjak janë tre shkaqet kryesore të vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës", thotë Nicola Luigi Bragazzi, nga Universiteti i York-ut nga Toronto, Kanada, autor i punimit.

Studimi analizoi të dhënat nga Studimi i Barrës Globale të Sëmundjeve 2017 (Global Burden of Disease Study), i kryer në 195 vende në periudhën 1990-2017. Studiuesit kanë llogaritur ndikimin e 11 faktorëve të rrezikut në vdekjen nga sëmundja ishemike e zemrës: dieta, hipertensioni, kolesteroli i lartë LDL, glicemia e lartë, përdorimi i duhanit, indeksi i lartë i masës trupore (BMI), ndotja e ajrit, niveli i ulët i aktivitetit fizik, funksioni renal i komprometuar, ekspozimi ndaj plumbit dhe përdorimi i alkoolit.

Sipas ekspertëve, duke supozuar se të gjithë faktorët e tjerë të rrezikut mbeten të pandryshuar, 69.2% e vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës në të gjithë botën mund të parandalohen nëse do të përdoren dieta më të shëndetshme, 54.4% nëse presioni sistolik i gjakut mbahet në 110-115 mmHg dhe 41.9% nëse kolesteroli Ldl në gjak mbetet brenda 0.7-1.3 mmol/L. Jo vetëm kaq; nëse glicemia esëll do të mbetej rreth 4.8-5.4 mmol/L, mund të parandalohen 25.5% e vdekjeve, ndërsa çrrënjosja e pirjes së duhanit dhe e duhanit pasiv mund të eliminojë 20.6%. Autorët theksojnë se përdorimi i duhanit renditej i katërti ndër shkaqet e vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës te burrat, por vetëm i shtati te gratë. Një indeks i lartë i masës trupore ishte shkaku i pestë kryesor i vdekjes nga sëmundja ishemike e zemrës te gratë dhe i gjashti te burrat. Për më tepër, për gratë, 18.3% e vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës mund të parandalohen duke e mbajtur BMI-në 20-25 kg/m2.
Në të dyja gjinitë, kontributi që ka ndotja e ajrit dhe ekspozimi ndaj plumbit në vdekjet nga sëmundja ishemike e zemrës, të standardizuara sipas moshës, u rrit paralelisht me shkallën e zhvillimit në vendin e banimit.


European Heart Journal - QCCO 2020. Doi: 10.1093/ehjqcco/qcaa076
https://doi.org/10.1093/ehjqcco/qcaa076


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>