Diabetologji

sht202018

Raporti mes kolesterolit jo HDL dhe HDL mund të jetë tregues i rrezikut për diabet

Te të rriturit mbi 40 vjeç, raporti i kolesterolit jo-HDL me kolesterolin HDL është një faktor rreziku për zhvillimin e diabetit të tipit 2, pavarësisht moshës, gjinisë dhe indeksit të masës trupore (IMT), sipas rezultateve të një studimi të botuar në "Journal of Diabetes".

"Kemi analizuar të dhënat e marra te 4,882 të rritur me moshë mesatare 55 vjeç dhe një IMT mesatare prej 23.3 kg/m², që merrnin pjesë në REACTOIN, një studim perspektiv që grumbullonte të dhëna nga 25 qendra në Kinë midis tetorit 2011 dhe shkurtit 2012", thotë Lu Lu Chen (Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë Huazhong, Kinë), i cili udhëhoqi grupin e punës.

Pjesëmarrësit kanë plotësuar një pyetësor të standardizuar, iu nënshtruan vizitave klinike dhe një testi oral të glukozës. Hulumtuesit matën kolesterolin LDL, kolesterolin HDL, kolesterolin total e insulinën esëll dhe përllogaritën rezistencën e insulinës. Në një periudhë mesatare trevjeçare, 704 pjesëmarrës zhvilluan diabet. Hulumtuesit vunë re se pjesëmarrësit e pozicionuar në grupin e parë për raportin e kolesterolit jo-HDL/kolesterolit HDL, e kishin glukozën në gjak esëll, më të lartë se 0.2 mmol/L, një nivel glukoze në 2 orë mesatarisht mbi 0.5 mmol/L, hemoglobinën e glikuar mesatare, më të lartë se 0.1% dhe një rrezik 40% më të lartë për diabet, krahasuar me pjesëmarrësit në grupin më të ulët.

Duke analizuar raportin e kolesterolit jo-HDL dhe kolesterolit HDL si ndryshore sasiore, studiuesit zbuluan se çdo rritje në devijimin standard ishte shoqëruar me glicemi esëll më të lartë se 0.1 mmol/L; niveli i glukozës në 2 orë më shumë se 0,2 mmol/L, shkaktonte rritje të rrezikut të diabetit me 10%. Raporti i kolesterolit jo-HDL me kolesterolin HDL nuk ishte i lidhur vetëm me rezistencë më të lartë të insulinës dhe nivel më të lartë të glukozës esëll, por edhe me nivele më të larta të glukozës pas ngrënies, me vlera më të larta të hemoglobinës së glikuar dhe rrezik më të madh për diabet.

"Duke qenë se nivelet e glukozës pas ngrënies, varen kryesisht nga sekrecioni i insulinës në fazë të hershme dhe të vonuar krahasuar me gliceminë esëll, rezultatet tona kanë sugjeruar që marrëdhënia midis dy llojeve të kolesterolit mund të lidhet ngushtë me funksionin e qelizave beta", përfundojnë hulumtuesit.

 

J Diabetes. 2018. doi: 10.1111/1753-0407.12650
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29437292


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>