Diabetologji

tet292018

Pse kontrolli glicemik te të moshuarit, duhet të synojë stabilitetin?

Te të moshuarit me diabet, vlerat shumë të larta ose shumë të ulëta të hemoglobinës së glikuar (HbA1c), si dhe ndryshueshmëria e këtyre vlerave janë të lidhura me një rrezik në rritje të vdekshmërisë, siç është raportuar në një studim të botuar në "Lancet Diabetes & Endocrinology".

"Në popullsinë më të moshuar, është e rëndësishme të merren parasysh vlerat dhe trendet e HbA1c-së si tregues të shëndetit dhe jo si objektiva të thjeshtë. Në këtë moment historik, kur sistemi shëndetësor synon një kontroll glicemik më pak strikt te të moshuarit, mund të ndodhë një mungesë e vigjilencës në lidhje me pacientët me rrezik të lartë", thotë Angus Forbes (Kolegji Mbretëror i Londrës), autor kryesor i studimit.

Studiuesit kanë vlerësuar 54,803 pacientë të moshës 70 ose më shumë vjeç në 587 klinika në Mbretërinë e Bashkuar, në një periudhë paraklinike katër vjeçare dhe një periudhë ndjekjeje prej pesë vjetësh. Studimi ka vlerësuar vlerën mesatare të HbA1c-së, në tri modele: i pari merrte parasysh mesataren bazë të HbA1c-së për periudhën paraklinike, i dyti mesataren për gjithë periudhën e ndjekjes dhe i treti, një mesatare të përditësuar çdo vit.

Është përllogaritur gjithashtu një rezultat i ndryshueshmërisë që shkonte nga 0 në 100, në bazë të numrit të ndryshimeve të HbA1c-së prej 0.5% (5.5 mmol/mol) ose më shumë.

Gjatë periudhës së studimit, 30.7% e grave dhe 33.8% e meshkujve vdiqën. Të dhënat kanë treguar një shpërndarje në formën e shkronjës J sa i përket rrezikut të vdekjes në të dyja gjinitë, me rritje të rëndësishme për vlerat e HbA1c-së më të larta se 8% (64 mmol/mol) dhe më të ulëta se 6% (42 mmol/mol), ndonëse rreziku i vdekjes nuk ishte domethënës në modelin e parë për burrat me vlera të HbA1c nga 8.5% (<69 mmol/mol) dhe në modelin e parë e të tretë për të dyja gjinitë, me vlera HbA1c më të ulëta se 6% (42 mmol/mol).

Vdekshmëria u rrit ndjeshëm me rritjen e ndryshueshmërisë së HbA1c-së në të gjitha modelet. Këto rezultate sugjerojnë se ndryshimet në kontrollin glicemik te të moshuarit, në veçanti një reduktim i HbA1c, i cili ndodh pavarësisht ndërhyrjes terapeutike, duhet të konsiderohet një shënues i rëndësishëm i menaxhimit shëndetësor dhe i vlerësimit të rrezikut për pacientin.

Ndoshta udhëzimet duhet t'i inkurajojnë mjekët që të ndikojnë më shumë në ndryshimet e HbA1c-së, me theks në intensifikimin gradual të trajtimit dhe stabilizimin gradual me kalimin e kohës. Në një editorial shoqërues, Hermes Florez (Universiteti Shëndetësor në Majami), tha se do të jenë të nevojshme përpjekje për të reduktuar ndryshueshmërinë glicemike dhe për të parandaluar hipogliceminë, duke synuar një kompensim më të përshtatshëm që mund të ulë komplikacionet dhe të ruajë cilësinë e mirë të jetës së të moshuarve.

 

Lancet Diabetes Endocrinol. 2018. doi: 10.1016/S2213-8587(18)30048-2
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29674135

Lancet Diabetes Endocrinol. 2018. doi: 10.1016/S2213-8587(18)30069-X
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29674136


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>