Focus

shk112016

Transplanti i veshkës, mbijetesë më e mirë e organit me agjentin e ri imunosupresiv

Për herë të parë krahasuar me një inhibitor të kalcineurinës, standardi aktual i kurës, një agjent imunosupresiv ka treguar një mbijetesë më të mirë të organit në transpantin e veshkës. Në këtë përfundim ka dalë një studim multi-qendror ndërkombëtar i publikuar në  "New England Journal of Medicine", nga kërkuesit e University of California në San Francisco dhe nga Emory University në Atlanta, Georgia.

"Belatacept është një bar që pengon aktivizimin e limfociteve T, qeliza të përfshira në refuzimin e organit, duke u lidhur me receptorët CD80 dhe CD86 të pranishëm në sipërfaqen e tyre dhe duke favorizuar në mënyrë të tillë parandalimin e refuzimit", shprehet Christian Larsen, profesor i kirurgjisë dhe rektor i Emory University School of Medicine, duke shtuar se bari prodhohet me teknologjinë e ADN-së rekombinante dhe që në ndryshim nga ciclosporina dhe tacrolimus nuk është toksike për veshkën. Anasjelltas, përdorimi afatgjatë i këtyre dy barnave të fundit, të dy inhibitorë të kalcineurinës, mund të dëmtojnë veshkat e transplantuara duke rritur riskun për diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.

Studimi i quajtur "BENEFIT" nga "Belatacept Evaluation of Nephroprotection and Efficacy as First-line Immunosuppression Trial" dhe i sponsorizuar nga Bristol-Myers Squibb, ka filluar në vitin 2006 dhe mbi bazën e rezultateve të tri viteve të para, ka shërbyer për aprovimin e imunosupresorit nga Administrata Amerikane e Barnave (FDA) në vitin 2011.

Në "BENEFIT" kanë marrë pjesë 666 pacientë me veshkë të transplantuar, të ndarë në tre grupe të trajtuar me belatacept me dozim më të lartë (B1) ose më të ulët (B2) ose me ciclosporin A (CsA), nga ku 447 pacientë janë ndjekur për 84 muaj. "Në përfundim të follow-up-it, shkalla e vdekshmërisë ka qenë përkatësisht 9,2%, 8,2% dhe 14,4%", shkruajnë autorët, duke nënvizuar se menjëherë pas transplantit, pacientët e trajtuar me belatacept kishin një incidencë më të madhe për refuzim akut. "Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve refuzimi akut i verifikuar pas belatacept është përgjigjur pozitivisht ndaj terapisë mjekësore pa provokuar humbjen e transplantit", vazhdon Larsen. Ai më pas përmbyll: "Po studiojmë akoma si të balancojmë më së miri përfitimet afatgjata të belatacept me një siguri më të madhe në një periudhë më të shkurtër".

 

N Engl J Med 2016. doi: 10.1056/NEJMoa1506027
http://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMoa1506027?query=featured_home

 

E.T


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>