News

mar222016

Mungojnë mjekët në Britaninë e Madhe, rritet kërkesa për mjekë të huaj

tags: Mjekë

Në Britaninë e Madhe nuk ka mjekë të mjaftueshëm për të mundësuar një mbulim të shërbimit 7 ditë në 7. Pas lajmit të transmetuar në BBC disa javë më parë mbi këtë problematikë, vetë presidentja e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve në Britani, Jane Dacre, i është drejtuar së fundi Ministrisë së Shëndetësisë për të denoncuar problemin duke kërkuar marrjen e masave urgjente. Për kërkesën e saj, ajo mbështetet në rezultatet e një studimi që tregon se si në çdo 10 vende që mbetën bosh vitin e kaluar, katër prej tyre vazhdojnë të ishin vakante edhe këtë vit.

"U hapën vende të reja për të përballuar kërkesën në rritje për trajtim të pacientëve, - shprehet Dacre, - por më pas u zbulua se nuk kishte mjekë në dispozicion për t'i zënë". Dhe në fakt sipas raporteve të BBC-së, në fund të 2015-ës ishin 6.207 vende vakante në specialitete të ndryshme të mjekëisë, të cilave iu shtuan edhe 23.443 vende për infermierë. Gjatë dy viteve të fundit pozicionet e mjekësore janë shtuar me 60% dhe mungesa në to prek më së shumti pediatrinë, radiologjinë dhe mjekët e emergjencës e urgjencës.

Për këtë arsye mjekët e rinj që operojnë në shërbimin shëndetësor anglez sot janë gjithnjë e më shumë të huajt, pjesa më e madhe e të cilëve nga vende të Bashkimit Evropian, veçanërisht nga lindja e Evropës, ku shumë mjekë të rinj nxiten për të kërkuar punë në Britaninë e Madhe të tërhequr nga kushtet e mira ekonomike. Por, forca e punës në Britani ka ardhur duke u shtuar edhe nga kontinente të tjera, duke filluar nga shtetet anëtare të Komunuelthit. Megjithatë edhe kjo nuk mjafton, ndërsa ata që i vuajnë pasojat janë pacientët por edhe profesionistët e shëndetësisë, ndër të cilët regjistrohen nivele të larta stresi, depresioni dhe të sindromës burnout.
Për të përballuar situatën ka nga ata që sugjerojnë thjesht një nxitje të studentëve drejt degëve të mjekësisë në universitet, por është e qartë se tërheqja e mjekëve të huaj tashmë të formuar në vendlindjet e tyre është me e dobishme për financat britanike.

Giovanni Meli, një mjek i ri italian që ndodhet aktualisht në Londër për një program kërkimi, tregon: "Qindra lajmërime pune të publikuara çdo muaj nga Shërbimi Kombëtar Britanik tregojnë se këtu ka një mungesë të madhe mjekësh dhe ata që punojnë aktualisht, punojnë me orare të zgjatura për të kompensuar mangësitë. Por dua të përmend një aspekt thelbësor për mjekët që duan të transferohen në Britaninë e Madhe. Në vitin 2014 Këshilli i Përgjithshëm i Mjekësisë vendosi që për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit në Britani, është e nevojshme që mjekët të kenë një certifikatë të IELTS që dëshmon njohjen shumë të mirë të gjuhës angleze"./D.GJ.

 

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>