Pediatri

sht292023

Alergjitë në moshën pediatrike, mikrobiota intestinale ndër shkaqet e mundshme

Sipas një studimi të ri të botuar në "Nature Communications", disa nga alergjitë kryesore të fëmijërisë, duke përfshirë ekzemën, astmën, alergjinë ushqimore dhe ethet e barit, mund ta kenë origjinën nga mikrobiota intestinale.

"Ne po shohim gjithnjë e më shumë fëmijë dhe familje që kërkojnë ndihmë në ambjentet spitalore për shkak të alergjive dhe është e rëndësishme të kuptojmë pse ndodh kjo dhe si mund të parandalohet. Megjithëse këto sëmundje kanë secila simptoma unike, ne ishim kureshtarë të kuptonim nëse ato mund të kishin një origjinë të përbashkët, të lidhur me përbërjen e mikrobiotës intestinale të fëmijës", shpjegon autori kryesor i studimit Stuart Turvey nga Universiteti i Kolumbisë Britanike.

Studiuesit ekzaminuan vlerësimet klinike të 1,115 fëmijëve të monitoruar nga lindja deri në moshën pesë vjeçare. Rreth gjysma e tyre nuk kishin pasur kurrë shenja alergjie, ndërsa 592 ishin diagnostikuar me një ose më shumë çrregullime alergjike. Studiuesit vlerësuan mikrobiomat e fëmijëve nga mostrat e jashtëqitjes të mbledhura gjatë vizitave mjekësore në moshën tre muajshe dhe një vjeç dhe te fëmijët që ishin të predispozuar të zhvillonin një nga katër format e alergjisë në moshën pesë vjeçare gjetën gjurma bakteriale të lidhura me to. Gjurma bakteriale është një shenjë dalluese e disbiozës, ose e mikrobiotës intestinale të çekuilibuar, që ka të ngjarë të shkaktohet nga një shtresë e dëmtuar e intestinit dhe një përgjigje inflamatore e shtuar brenda tij. Faktorët që mund të formojnë mikrobiotën intestinale të foshnjës janë të shumë, ndër të cilët: mënyrën se si foshnja lind, vendin ku jeton, ekspozimi ndaj antibiotikëve dhe dietën qe ndjek. Studiuesit ekzaminuan se si këta elementë ndikojnë në ekuilibrin e mikrobiotës intestinale dhe zhvillimin e alergjive.

"Nga të dhënat tona mund të themi se faktorë të tillë si përdorimi i antibiotikëve në vitin e parë të jetës kanë më shumë mundësi të shkaktojnë çrregullime alergjike të mëvonshme, ndërsa ushqyerja me gji për gjashtë muajt e parë është mbrojtëse dhe kjo vlen për të gjitha çrregullimet alergjike që kemi studiuar", shpjegon Turvey.

Autorët shpresojnë të shfrytëzojnë gjetjet për të formuluar trajtime që mund të korrigjojnë çekuilibrimin e mikrobiotës intestinale dhe të parandalojnë zhvillimin e alergjive.

 

Nature Communications 2023. Doi: 10.1038/s41467-023-40336-4
http://doi.org/10.1038/s41467-023-40336-4


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>