Kardiologji

jan312018

Shumë shpejt, aparati i ri pa manshetë, për matjen e tensionit

Një pajisje pa manshetë, e thjeshtë dhe jo e kushtueshme që përdor fotopletizmografinë për të matur valën sfigmike në gisht, mund të zëvendësojë në praktikë pajisjen tradicionale me manshetë, për matjen e tensionit të gjakut. Ky do të jetë një lehtësim për pacientët që e kanë të nevojshëm kontrollin e shpeshtë të tensionit të gjakut. "Basic to Translational Science" titullohet studimi që e ka publikuar këtë në "JACC".

"Meqenëse pajisja jonë nuk ka kapërcyer ende kërkesat e parakalibrimit nëpërmjet matjes me manshetë, mund ta përkufizojmë si "pa manshetë, por jo përfundimtar". Studimi ynë tregon saktësinë e lartë dhe avantazhin e madh që do të ketë ndryshimi i monitorimit të tensionit të gjakut në fushën e shëndetësisë dixhitale", konfirmon Naoki Watanabe (Universiteti i Mjekësisë, Nagoja).

Kërkuesit kanë marrë në studim 172 vetë (66,9% meshkuj) dhe kanë vendosur një sensor në gishtat e tyre tregues të djathtë dhe të majtë. Të dhënat që janë marrë nga pesë intervale vale sfigmike të njëpasnjëshme janë dixhitalizuar dhe ndërmjetësuar duke përdorur një algoritëm të zhvilluar posaçërisht për këtë qëllim. Rezultatet janë vërtetuar më tej nga Instituti i Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike (IEEE). Për kontroll, tensioni matej në mënyrë simultane nëpërmjet pajisjeve (me dëgjim dhe elektronike) me manshetë.

Skuadra ka zbuluar se koeficientët e ndërlidhjes për presionin sistolik që është matur me aparatin pa manshetë dhe në atë me manshetë, kanë patur një diferencë mesatare absolute prej 6,2 mmHg dhe përsëritja ka qenë e mirë për thuajse të gjitha matjet.

Veç kësaj, një nënstudim i bërë me 35 pjesëmarrës gjatë gjumit, nuk ka treguar ndryshime ndërmjet rezultatit të tensionit sistolik dhe diastolik për dy teknikat e matjes, por ka treguar lehtësim për pacientët që përdornin pajisjen e re.
"Ndërlidhja mes pajisjes së re dhe matjes standarde të tensionit arterial duket se është e fortë dhe të paktën statistikat përmbledhëse janë premtuese", shkruajnë Florian Rader dhe Ronald G Victor (Instituti i Zemrës Cedars-Sinai, Los Anxhelos). Gjithsesi, ata vënë në dukje se të gjitha matjet janë bërë në një pozicion tërësisht të palëvizshëm dhe se ndryshimet në pozicionin e trupit gjatë ushtrimeve ose në veprimtari të tjera, mund të kërkojnë rikalibrimin e pajisjes.
Gjithashtu, duke qenë se shumë nga bashkautorët kanë lidhje me prodhuesin e pajisjes, nevojitet një vlerësim vërtet i pavarur i kësaj risie në mjekësi.

 

JACC 2018. Doi: 10.1016/j.jacbts.2017.07.015
https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S2452302X17302206?via%3Dihub
JACC 2018. Doi: 10.1016/j.jacbts.2017.11.001
https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S2452302X17302735?via%3Dihub


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>