Kardiologji

maj292020

Udhëzime të reja për hipertensionin te të rriturit. Ja, rekomandimet

Shoqata Ndërkombëtare e Hipertensionit ka publikuar së fundi udhëzimet e reja të praktikës klinike në "Hypertension" dhe në "Journal of Hypertension", në të cilat jep rekomandime për menaxhimin e hipertensionit te të rriturit e moshës 18 vjeç e lart. "Ne jemi përpjekur të përshkruajmë qasjet më të mira për administrimin e hipertensionit dhe të ofrojmë rekomandime optimale dhe thelbësore për profesionistët e kujdesit shëndetësor", shpjegon Thomas Unger, nga Universiteti i Mastrihtit në Hollandë, autori kryesor i dokumentit.

Studiuesit thonë se për diagnostikimin e hipertensionit, presioni i gjakut duhet të jetë së paku 140/90 mmHg dhe se matja duhet të bëhet në spital ose në klinikë ambulatore dhe të përsëritet disa herë. Sipas dokumentit, individët me presion më të lartë se kufijtë normalë (130-139/85-89 mmHg) mund të përfitojnë nga ndërhyrjet në stilin e jetës dhe në disa raste të marrin barna, ndërsa subjektet me hipertension të konfirmuar duhet të marrin trajtimin e duhur farmakologjik. Pacientët me hipertension, veçanërisht ata me histori familjare të sëmundjeve kardiovaskulare, duhet të vlerësohen për faktorë shtesë të rrezikut, duke përfshirë moshën, gjininë, frekuenca kardiake, shtimin në peshë, diabetin dhe duhanpirjen. Studiuesit thonë se modifikimi i stilit të jetës është linja e parë e trajtimit anti-hipertensiv dhe është gjithashtu i dobishëm për përmirësimin e efektit të barnave.
Sa për trajtimin me barna, ai duhet të synojë një ulje të presionit të gjakut të paktën 20/10 mmHg, në mënyrë ideale, me një objektiv prej 140/90 mmHg brenda tre muajve. "Ne besojmë se këto udhëzime të thjeshtuara do të jenë të dobishme në nivel global dhe se ato mund të jenë më të përdorshme veçanërisht në vendet që nuk kanë udhëzimet e tyre kombëtare për administrimin e hipertensionit", përfundojnë autorët.

Anna Dominiczak, nga Universiteti i Glasgout dhe Giuseppe Mancia, nga Universiteti Milano-Bicocca, në një editorial shoqërues, vlerësojnë udhëzimet e reja. "Në këto periudha të vështira, me pandeminë Covid-19 që e ndërlikoi kaq shumë kujdesin ndaj pacientëve tanë, ne rekomandojmë të lexoni këto rekomandime dhe të përfitoni prej tyre, gjatë shumë problemeve me të cilat ne të gjithë ballafaqohemi çdo ditë në praktikën tonë klinike".

 

Hypertension 2020. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.15026
https://doi.org/10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.15026 

Hypertension 2020. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.15224
https://doi.org/10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.15224


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>