Kardiologji

maj312022

Komplikacionet kardiake pas një iktusi rrisin gjasat për ngjarje kardiovaskulare në të ardhmen

Sipas një studimi të gjerë vëzhgues të botuar në Stroke, te të mbijetuarit e një iktusi ishemik, komplikacionet kardiake që shfaqen brenda një muaji rrisin si vdekshmërinë, ashtu edhe rrezikun e një tjetër iktusi ose infarkti në pesë vitet në vijim.

"Pasojat kardiovaskulare, si: dhimbja anginale, sindroma akute koronare, fibrilacioni atrial ose infarkti shpesh lindin pas një ngjarjeje akute cerebrovaskulare", thotë Benjamin Buckley, studiues në Universitetin e Liverpulit, duke nënvizuar se këto komplikacione rrisin rrezikun e paaftësisë afatshkurtër ose vdekjes, ndërsa rreziku afatgjatë mbetet i panjohur.

"Ne e dimë se sëmundjet e zemrës dhe iktusi ndajnë shumë faktorë rreziku dhe se ekziston një lidhje e dyanshme midis rrezikut të një iktusi dhe sëmundjeve të zemrës", shkruajnë studiuesit, të cilët për të vlerësuar incidencën e pasojave kardiake dhe për rrezikun e ngjarjeve serioze negative afatgjata, analizuan të dhënat mjekësore të më shumë se 365,000 subjekteve të rritura të trajtuara për iktus ishemik, në periudhën 2002-2021 në mbi 50 qendra spitalore.

Kur krahasojmë të mbijetuarit e iktusit me dhe pa komplikacione, rezultatet tregojnë se rreziku i vdekjes brenda pesë viteve nga një iktus rritet ndjeshëm te pacientët me komplikacione kardiake: me 49% në prani të sindromës akute koronare, me 45% me fibrilacion ose palpitacion atrial dhe deri në 83% me insuficiencë kardiake. Së fundi, rreziku i vdekjes dyfishohet në prani të një aritmie të rëndë ventrikulare që lind pas ngjarjes akute cerebrovaskulare. Por kjo nuk është e gjitha: pacientët me iktus dhe komplikacione kardiovaskulare të sapodiagnostikuara kanë 50% më shumë gjasa të pësojnë një tjetër iktus brenda pesë vjetësh.

"Këto të dhëna nënvizojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet neurologëve dhe kardiologëve për të vlerësuar plotësisht këtë popullatë me rrezik të lartë, mbi të cilën të fokusohen më tej përpjekjet parandaluese dytësore", përfundon Buckley.

 

Stroke2022.Doi:10.1161/STROKEAHA.121.037316
http://doi.org/10.1161/STROKEAHA.121.037316


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>