Focus

tet172018

Kontributi që jep dhimbja kronike në vendimin për vetëvrasje...

Një analizë e të dhënave të grumbulluara në një sistem raportimi me detaje mbi vdekjet e dhunshme në SHBA (Sistemi Kombëtar i Raportimit të Vdekjeve të Dhunshme: NVDRS) tregon se dhimbja kronike mund të ketë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e vetëvrasjes. Sipas rezultateve të punës, botuar në "Annals of Internal Medicine", pothuajse 9% e atyre që vdiqën nga vetëvrasja në 18 shtete nga viti 2003 deri në vitin 2014, kishin dokumentacion të dhimbjes kronike në kartelat e tyre klinike.

Më shumë se 25 milionë të rritur në Shtetet e Bashkuara duhet të jetojnë me një nivel të caktuar dhimbjeje çdo ditë dhe plot 10.5 milionë njerëz vuajnë nga dhimbje të konsiderueshme. Dhimbja kronike tashmë shoqëron faktorët e rrezikut për vetëvrasje, por studimet e mëparshme kanë shqyrtuar kryesisht sjelljet jo fatale të vetëvrasjeve, në vend të vetëvrasjeve të lidhura me dhimbjen kronike ose karakteristikave të vdekjeve të tilla.

Hulumtuesit e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë zbuluar se nga 123.181 njerëz të përfshirë në studim dhe që vdiqën nga vetëvrasja, 10.789 (8.8%) kishin shfaqur shenja të dhimbjes kronike, me një përqindje në rritje nga 7.4% në 2003-shin, në 10.2% në vitin 2014. Më shumë se gjysma (53.6%) e personave që vdiqën nga vetëvrasja me dhimbje kronike, vdiqën nga plagët e shkaktuara me armë zjarri dhe 16.2 %, për mbidozë opiatesh. Dhimbja e kurrizit, dhimbjet e lidhura me kancerin dhe artritin përbënin një përqindje të madhe të gjendjeve të dhimbjes të pranishme tek ata që kanë vdekur nga vetëvrasja dhe ankthi e depresioni janë diagnostikuar më shpesh tek ata që kanë vdekur nga vetëvrasja dhe që kishin dhimbje, sesa tek ata që nuk vuanin prej saj.

Hulumtuesit treguan se kur ishin në dispozicion testet toksikologjike, kishte më shumë gjasa që të gjendej prania e opioideve në momentin e vdekjes te të vetëvrarët me dhimbje kronike sesa tek ata pa dhimbje. Në një editorial shoqërues, sugjerohet se do të ishte mirë të eksplorohej më thellë roli i opioideve në rrezikun e vetëvrasjes dhe se parandalimi i vetëvrasjes duhet të jetë pjesë e planit të kujdesit për ata që vuajnë nga dhimbjet kronike.

 

Ann Inter Med 2018. Doi: 10.7326/M18-0830
https://dx.doi.org/10.7326/M18-0830

Ann Inter Med 2018. Doi: 10.7326/M18-2330
https://dx.doi.org/10.7326/M18-2330


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>