Pediatri

mar132019

Vaksina trivalente nuk është e lidhur me autizmin. Literatura konfirmon sërish

Një studim i publikuar në revistën "Annals of Internal Medicine" tregon se nuk ekziston asnjë lidhje mes vaksinës MPR (fruthi, shytat dhe rubeola) dhe autizmit, duke konfirmuar kështu atë që ishte provuar më parë nga studime të shumta. Kërkuesit e udhëhequr nga Anders Hviid (Instituti i Kopenhagenit Statens Serum) kanë analizuar të dhënat e 657.461 fëmijëve të lindur në Danimarkë në periudhën nga viti 1999 e deri në fund të vitit 2010, me një ndjekje nga viti i parë i moshës e deri më 31 gusht 2013.

Gjithsej, 6.517 fëmijë janë diagnostikuar me autizëm (me një normë incidence prej 129,7 për 100.000 vite/njerëz) dhe rezultatet e analizës tregojnë se, pas rregullimit për varabla të ndryshëm në krahasimin mes fëmijëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar, vaksina MPR nuk është lidhur me rrezikun për autizëm (raporti i rrezikut: 0,93). Gjithashtu, asnjë lidhje nuk është vëzhguar në nëngrupet e fëmijëve të identifikuar në bazë të faktorëve të rrezikut (për shembull, një vëlla me autizëm), me vaksina të tjera të fëmijërisë ose në periudha specifike pas vaksinimit.

Një lidhje mes vaksinës MPR dhe autizmit ishte hamendësuar në një studim të publikuar në "Lancet" në vitin 1998. Pavarësisht se artikulli u tërhoq dhe shumë studime të tjera të mëtejshme nuk kanë treguar asnjë lidhje mes vaksinës MPR dhe autizmit, shqetësimet e prindërve nuk janë zhdukur dhe edhe tani, mjekët dhe funksionarët e shëndetësisë nuk dinë si të fshijnë mitet e gabuara mbi vaksinat dhe autizmin.

"Në një botë ideale, kërkimi mbi sigurinë e vaksinës do të bëhej vetëm për të vlerësuar hipotezat e bazuara shkencërisht, jo për t'iu përgjigjur konspiracionit të ditës", thonë në një editorial Saad Omer (Universiteti Emory) dhe Inci Yildirim (Shkolla e Mjekësisë Emory në Atlanta), të ndërgjegjshëm se hipotezat e propaganduara nga skeptikët mbi vaksinat, ndikojnë në besimin te këto mjete të parandalimit.

"Vaksinimi MPR nuk shton riskun e autizmit, nuk shkakton autizëm te fëmijët e prekshëm dhe nuk është i lidhur me rastet e autizmit pas vaksinimit", thonë ata në konkluzionin e tyre.


Ann Intern Med. 2019. doi: 10.7326/M18-2101
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30831578

Ann Intern Med. 2019. doi: 10.7326/M19-0596
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30831577


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>