Kardiologji

maj82015

Insuficienca kardiake në Shqipëri, Prof.Dr.Artan Goda: Kemi shtim të rasteve, por kemi arritur që jetëgjatësia e pacientëve nga 3 vjet që ishte më parë në 10 vjet tani

Në Shqipëri janë afërsisht 140 mijë shqiptarë që vuajnë nga sindromi i insuficiencës kardiake. Çdo vit shtohen rreth 3.360 raste. Insuficienca kardiake e zemrës zhvillohet për shkak të sëmundjes së arterieve koronare, presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve valvulare të zemrës apo defekteve të lindura në zemër të cilat shkaktojnë mbingarkesë të punës së zemrës. Sipas mjekut kardiolog, Prof.Dr.Artan Goda është hequr dorë nga transplanti i zemrës dhe është kaluar në metoda të reja mekanike të cilat që prej një viti janë futur edhe në Shqipëri."Përpjekjet janë bërë për zemrën mekanike, akoma nuk janë në stadin e aplikimit rutinë. Sot ka metoda të rëndësishme mekanike që përmirësojnë situatën klinike të pacientëve, siç është vendosja e pacemaker-it apo aparaturave te tjera të cilat rrisin jetëgjatësinë e pacientit dhe përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së tij", shprehet Prof.Dr. Artan Goda.

Sindromi insuficiencës kardiake është shndërruar në shqetësim në të gjitha sistemet shëndetësore të botës. Në vendin tonë kryesisht prek moshat e rritura por nuk përjashtohen edhe të rinjtë të cilët vuajnë nga probleme të ndryshme të zemrës.

"Ka qenë një problem me zgjidhje të pjesshme përpara. Më kujtohet 38 vjet më parë, kur fillova kardiologjinë, jetëgjatësia e një të sëmuri me insuficiencë kardiake ishte 2-3 vjet. Gjatë këtyre viteve ka pasur përmirësime të rëndësishme në insuficiencën kardiake, si në përmirësimin e simptomave të sëmurëve që kanë këtë sindromë, ashtu edhe në përmirësimin e medikamenteve të ndryshme që e trajtojnë atë. Këto kanë bërë që jetëgjatësia e këtyre të sëmurëve kur mjekohen siç duhet, sot është 10 vjet nga fillimi i insuficiencës kardiake dhe vjen gjithmonë duke u zgjatur", shprehet Prof. Goda.

Përgatiti: Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>