Focus

gus172018

Zbulohet mekanizmi përgjegjës i demencës. Është i lidhur me traumën kranike

Trauma kranike shkakton formimin e një forme anormale të proteinës tau që përhapet në tru duke shkaktuar humbjen e kujtesës dhe dëmtimin e neuroneve. Këtë e ka raportuar Instituti i Kërkimeve Farmakologjike "Mario Negri Ircss", në Milano.

"Trauma kranike e rëndë, shpjegon Elisa Zanieri (e cila së bashku me Roberto Chiesa-n koordinon studimin e botuar në revistën shkencore prestigjioze "Brain") është shkaku kryesor i vdekjes dhe paaftësisë së përhershme te të rriturit e rinj. Përveç kësaj, edhe kur është e lehtë, përfaqëson një faktor të rëndësishëm rreziku për fillimin e demencave të tilla si Alzheimeri dhe encefalopatia kronike post traumatike, një sëmundje tipike e sporteve të kontaktit, siç është boksi. Kuptimi i mekanizmit përgjegjës për kalimin nga dëmtimi cerebral, te sëmundja kronike neurodegjenerative, do të na lejonte të zhvillonim terapitë e reja".

"Duke analizuar trurin e individëve që vdiqën vite pas një dëmtimi të vetëm të rëndë në kokë, kemi vërejtur se formohen depozita të gjera të një forme anormale të proteinës tau, tipike në disa lloje të demencës", vazhdon William Stewart, neuropatolog i Universitetit të Glasgout, që mori pjesë në studim. "Të njëjtin fenomen e kemi riprodhuar te minjtë, ku kemi vënë re se proteina tau anormale fillimisht u formua në zonën ngjitur me traumën, por, me kalimin e kohës, u përhap në zona të tjera të trurit.

Ky fenomen të kujton përhapjen e prioneve, proteinave infektive të zbuluara nga Stanley Prusiner, fitues i çmimit Nobel", thotë Chiesa, që shton: "Ashtu si një prion, tau i gjeneruar nga trauma, duke u përhapur në tru, nxit humbjen e kujtesës dhe dëmtimin e qelizave nervore".

"Fakti që një traumë e vetme gjeneron një formë të taut, që është në gjendje të përhapet, duke ndihmuar dëmtimet afatgjata, shpjegon se si një ngjarje mekanike akute mund të evoluojë në një sëmundje progresive neurodegjenerative", përfundon Zanieri.

Në Evropë, më shumë se 5 milionë njerëz jetojnë me një paaftësi fizike dhe/ose psikike, që rezultojnë të jenë pasoja të traumave kranike të moderuara ose të rënda. Studimi i "Mario Negri Ircss", identifikon përhapjen e taut si një mekanizëm që qëndron në bazë të aftësisë së kufizuar të përhershme te pacienti i traumatizuar dhe sugjeron që ndërhyrja në këtë mekanizëm mund të ketë efekte terapeutike.

 

https://academic.oup.com/brain/article-lookup/doi/10.1093/brain/awy193


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>