Focus

mar192021

Covid-19. Ja, si ka ndikuar pandemia në shëndetin mendor të punonjësve të shëndetësisë

Gjatë karantinës së parë për shkak të Covid-19, gati 60% e punonjësve të shëndetësisë dhe të kujdesit social që ishin në vijën e parë vuanin nga një çrregullim i shëndetit mendor, duke shfaqur normë shumë të lartë ankthi, sipas një studimi të botuar në "European Journal of Psychotraumatology".
"Punimi ynë tregon se më shumë se gjysma e punonjësve të shëndetësisë dhe të kujdesit social të anketuar plotësuan kriteret për një çrregullim mendor pas valës së parë të Covid-19 në Britani. Është e rëndësishme të theksojmë se ne zbuluam që nivelet çrregullimeve ishin të larta jo vetëm midis mjekëve dhe infermierëve, por në një gamë të gjerë të roleve shëndetësore dhe sociale, siç janë punonjësit e ambulancës, bartësit e barrelave në spitale, farmacistët dhe stafi i azileve", shpjegon Talya Greene (Kolegji Universitar në Londër dhe Universiteti i Haifa-s), autore kryesore e punimit. "Për të qenë të qartë: mund të jemi në prag të një krize të shëndetit mendor në të gjithë sektorin e kujdesit shëndetësor dhe social", vazhdon ai.

Studiuesit intervistuan 1.194 punonjës të shëndetësisë dhe të kujdesit social, të cilët kanë punuar në spitalet e Britanisë, në azile dhe ambiente të tjera komunitare, për të identifikuar dhe krahasuar nivelin e çrregullimit të shëndetit mendor në role dhe vende të ndryshme pune. Studimi u krye menjëherë pas valës së parë të Covid-19 në Britani, në periudhën 27 maj-23 korrik 2020 dhe tregoi se 58% e njerëzve të anketuar arritën pragun e caktuar si domethënës për çdo çrregullim të shëndetit mendor, ndërsa 22% plotësuan kriteret për çrregullimin e stresit post-traumatik, 47% kishin ankth të rëndësishëm klinikisht dhe 47% shfaqën shenja depresioni. Nivelet e simptomave ishin të larta në të gjitha rolet dhe mjediset e punës. Autorët identifikuan edhe disa faktorë specifikë të rrezikut të shëndetit mendor, që përfshinin: shqetësim për transferimin e infeksionit te të tjerët, të mos qenit në gjendje për të folur me menaxherët e vendit të punës se si po shkonin gjërat, të ndierët të stigmatizuar për rolin e vet dhe mospasja e qasjes së vazhdueshme dhe të besueshme në pajisjet e mbrojtjes personale. Parashikuesit kryesorë për PTSD përfshinin faktin që stafi u rishpërnda në grupe të tjera pune dhe faktin e të qenit të prekur nga Covid-19.

Greene dhe kolegët tregojnë se ky është hulumtimi i parë në Britani që vlerëson çrregullimet e shëndetit mendor në një mënyrë kaq të gjerë dhe se ekziston një nevojë e qartë për ndihmë nga  specialistët për të gjithë punonjësit e prekur. "Është e rëndësishme që kjo mbështetje të planifikohet për një periudhë afatgjatë. Gjetjet tona nxjerrin në pah urgjencën e financimeve të menjëhershme afatgjata për shërbimet e specializuara të shëndetit mendor, për operatorët shëndetësorë dhe punonjësit socialë", thotë Greene. Studimi thekson edhe nevojën për qasje të besueshme në pajisjet mbrojtëse personale për të gjithë stafin që punon në kujdesin shëndetësor e social dhe për hetime të mëtejshme mbi pengesat në komunikimin midis menaxherëve dhe stafit.

 

Eu J Psychotraumatology 2021. Doi: 10.1080/20008198.2021.1882781
https://doi.org/10.1080/20008198.2021.1882781


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>