Pediatri

qer132023

Ekspozimi ndaj ndotësve PFAS gjatë shtatzënisë shton rrezikun për obezitet te fëmijët

Një studim i ri i publikuar në "Environmental Health Perspectives" konfirmon se rreziqet e ekspozimit ndaj të ashtuquajturave "kimikate të përjetshme" fillojnë që para lindjes dhe i rrezikojnë fëmijët ndaj problemeve shëndetësore në të ardhmen.

Mijëra substanca perfluoroalkili dhe polifluoroalkili (PFAS) përdoren në pëlhura të papërshkueshme nga vaji dhe uji, produktet e kujdesit personal, ambalazhet e ushqimeve, produktet mjekësore dhe shumë produkte të tjera shtëpiake. PFAS-ët toksikë janë tepër të qëndrueshëm dhe mendohet se qëndrojnë në mjedis për mijëra vjet dhe për këtë arsye janë quajtur edhe "kimikate të përjetshme".

"Hulumtimet e mëparshme kanë sugjeruar një lidhje midis ekspozimit të PFAS-ve gjatë shtatzënisë dhe indekseve pak më të larta të masës trupore dhe rritjes së rrezikut për obezitet te fëmijët, por gjetjet e tyre nuk janë suportuar sa duhet. Studimi ynë përfshin një grup të dhënash shumë më të madh me site kërkimore në të gjithë vendin, dhe kjo i bën rezultatet më të përgjithësueshme për popullatën në tërësi", thotë autori kryesor i studimit Yun Liu nga Universiteti Brown, Providence, SHBA.

Gjatë dy dekadave, studiuesit mblodhën të dhëna nga 1,391 fëmijë të moshës dy deri në pesë vjeç dhe nënat e tyre të regjistruara në Kaliforni, Illinois, Massachusetts, Kolorado, Nju Hampshire, Xhorxhia dhe Nju Jork. Ata analizuan nivelet e shtatë PFAS-ve të ndryshëm në mostrat e gjakut të marra nga nënat shtatzëna dhe më pas llogaritën indeksin e masës trupore të çdo foshnje (IMT). Analiza e të dhënave tregoi se nivelet më të larta të PFAS-ve në gjakun e nënës gjatë shtatzënisë lidhen me IMT pak më të lartë. Rritja e rrezikut për obezitet u vu re në mënyrë të barabartë për meshkujt dhe femrat, dhe lidhje të tilla u vunë re edhe në nivele të ulëta të ekspozimit ndaj PFAS-ve.

"Kërkimet e ardhshme duhet të shqyrtojnë lidhjet midis ekspozimit të nënës ndaj PFAS-ve dhe rezultateve shëndetësore të lidhura me obezitetin te fëmijët më të rritur dhe më pas tek adoleshentët dhe të rriturit", përfundon Liu.

 

Environmental Health Perspectives 2023. Doi: 10.1289/ehp11545
http://doi.org/10.1289/ehp11545


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>