Focus

jan152021

Covid-19. Pasojat në shëndetin mendor të punonjësve shëndetësorë të vijës së parë

Një studim i ri, i botuar në "Journal of Psychiatric Research", sugjeron se më shumë se gjysma e mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të urgjencës që janë të përfshirë në menaxhimin e Covid-19, mund të rrezikojnë të zhvillojnë një ose më shumë probleme të shëndetit mendor, përfshirë stresin traumatik, depresionin, ankthin, përdorimin problematik të alkoolit dhe pagjumësinë.
"Ndërsa shumica e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe atyre të urgjencës nuk do të zhvillojnë domosdoshmërisht një çrregullim të këtij lloji, puna ditë pas dite nën kufizime të mëdha dhe me shumë të panjohura, do të ketë shumë pasoja të lidhura me stresin për disa prej tyre", thotë Andrew Smith, nga Universiteti i Shëndetit në Utah, autor i studimit.

Studiuesit intervistuan 571 punonjës të kujdesit shëndetësor, përfshirë 473 punonjës të urgjencës dhe 98 pjesëtarë të personelit spitalor (mjekë, infermierë) në periudhën 1 prill-7 maj 2020. Në përgjithësi, 56% e të anketuarve rezultuan pozitivë për të paktën një çrregullim të shëndetit mendor. Përhapja për secilin çrregullim specifik varionte nga 15% në 30% te të anketuarit, ndërkohë që çrregullimet më të zakonshme ishin përdorimi problematik i alkoolit, pagjumësia dhe depresioni. Në mënyrë të veçantë, ekspertët zbuluan se punonjësit e kujdesit shëndetësor që ishin ekspozuar ndaj virusit ose që ishin në një rrezik rritës për infektim sepse kishin imunitet të komprometuar, shfaqën një rrezik dukshëm më të lartë për stres akut traumatik, ankth dhe depresion. "Identifikimi i këtyre individëve dhe ofrimi i roleve alternative për ta, mund të pakësojë ankthin, frikën dhe pafuqinë e lidhur me infeksionin", thotë Smithi.

Rreth 36% e punonjësve të kujdesit shëndetësor raportuan përdorim të rrezikshëm të alkoolit, një përqindje më e lartë sesa vlerësimet aktuale për mjekët (21%) dhe për punonjësit e urgjencës (23%) në situata jo-pandemike. Më i rrezikuar, sipas studiuesve, ishte personeli që ofronte kujdes të drejtpërdrejtë për pacientin, ose që kishte pozicione mbikëqyrëse; rrjedhimisht, sugjerohet t'u ofrohet këtyre punonjësve një edukim parandalues dhe, nëse është e nevojshme, trajtim për abuzimin me alkoolin. "Punonjësit shëndetësorë të vlerësuar ndiheshin më pak në ankth kur filluan të trajtonin më shumë raste me Covid-19, ndoshta sepse ishin përfshirë nga nevoja për punën e tyre", shpjegojnë autorët.

Ndër kufizimet e studimit janë përmasa e vogël e mostrës dhe fakti që ajo u mblodh në fillim të pandemisë, në një rajon relativisht të prekur dobët.


Journal of Psychiatric Research 2020. Doi: 10.1016/j.jpsychires.2020.10.045
https://doi.org/10.1016/j.jpsychires.2020.10.045


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>