Mjekësi e përgjithshme

pri272021

Coronavirusi i ri shkakton dëmtime neurologjike, megjithëse nuk i infekton qelizat e trurit

Sipas një studimi të ri të botuar në "Brain", Sars-CoV-2 mund të mos jetë në gjendje të infektojë trurin drejtpërdrejt, por gjithsesi, mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme neurologjike. "Punimi ynë sugjeron që ndryshimet neurologjike që shihen shpesh te pacientët me Covid-19 mund të rezultojnë nga inflamacioni që ka shkaktuar virusi në pjesë të tjera të trupit, ose në enët e gjakut të trurit", konfirmon James Goldman, bashkautor i studimit.

Studiuesit ekzaminuan trurin e 41 pacientëve me Covid-19 të cilët vdiqën nga sëmundja, ndërsa ishin në spital. Individët varionin nga mosha 38 deri 97 vjeç; rreth gjysma ishin intubuar dhe të gjithë kishin dëmtime të mushkërive të shkaktuara nga virusi. Përkundër hulumtimit të tyre intensiv, ekspertët nuk gjetën prova të pranisë së virusit në qelizat cerebrale të pacientëve. Testet u kryen në më shumë se dy duzina të zonave të trurit, duke përfshirë bulbin olfaktor. "As atje, nuk gjetëm asnjë proteinë virale ose ARN, të cilat, në fakt, ishin të pranishme në mukozën e hundës së pacientëve dhe në mukozën olfaktore lart në zgavrën e hundës", vazhdon Goldmani. Pavarësisht mungesës së viruseve në tru, te secili pacient studiuesit gjetën patologji të konsiderueshme cerebrale, siç demonstrohet nga shumë zona të dëmtuara nga mungesa e oksigjenit, disa shumë të vogla dhe të zbulueshme vetëm me mikroskop. Autorët besojnë se këto zona të vogla të dëmtimit hipoksik janë shkaktuar nga mpiksjet e gjakut, të cilat ndërpresin përkohësisht furnizimin me oksigjen në atë zonë. Për më tepër, ata theksojnë se janë befasuar nga zbulimi i një sasie të lartë qelizash të mikrogliave të aktivizuara në trurin e shumicës së pacientëve.

"Kemi parë grupe të qelizave mikroglia që sulmojnë neuronet, një proces i quajtur "neuronofagia". Meqenëse në tru nuk është aktivizuar asnjë virus, ekziston mundësia që mikroglia të jetë aktivizuar nga citokina inflamatore, të tilla si interleukin-6, të lidhura me infeksionin nga Sars-CoV-2", përfundon Goldmani. Studiuesit tani po ekzaminojnë pacientët që vdiqën disa muaj pasi u shëruan nga Covid-19 dhe pacientët e sëmurë rëndë me sindromën e distresit respirator akut (ARDS) para pandemisë Covid-19, për të kuptuar më mirë këto vëzhgime fillestare.


Brain 2021. Doi: 10.1093/brain/awab148
https://doi.org/10.1093/brain/awab148


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>