Pediatri

qer12021

ADHD: Agonistët alfa2-adrenergjikë, një mundësi trajtimi me më pak efekte anësore

Te fëmijët në moshë parashkollore, me çrregullime të deficitit të vëmendjes/hiperaktivitet (ADHD), barnat agoniste alfa2-adrenergjike mund të jenë efektive dhe të kenë më pak efekte anësore sesa stimuluesit. Këtë sugjeron një studim të ri, i bazuar në rishikimin retrospektiv të regjistrave mjekësorë të 497 fëmijëve nën moshën 6 vjeç, të trajtuar në 7 qendra ambulatore amerikane.

Elizabeth Harstad (Spitali i Fëmijëve në Boston) dhe kolegët e saj vunë re një përmirësim në shumicën e pacientëve të trajtuar me të dyja llojet e barnave dhe një profil të ndryshëm të efekteve të kundërta. "Zbuluam gjithashtu se për fëmijët më të vegjël (më pak se 4 vjeç), ata që i kishin nisur agonistët α2-adrenergjikë qëndruan në këto barna më gjatë se ata që filluan stimulues, gjë që mund të tregojë se janë më të tolerueshëm, megjithëse nevojiten më shumë kërkime për ta konfirmuar këtë", shpjegoi studiuesja. Trajtimi farmakologjik i linjës së parë, i rekomanduar për ADHD janë stimuluesit, por përkundër të dhënave shumë të kufizuara te pacientët parashkollorë, përdorimi i agonistëve α2-adrenergjikë është i shpeshtë dhe në rritje. Ndër fëmijët e përfshirë në analizë, 175 (35%) u trajtuan me agonistë α2-adrenergjikë dhe 322 (65%) me stimulues. Një përmirësim u gjet përkatësisht në 66% (n = 115) dhe në 78% (n = 251) të pacientëve.

Ndër efektet anësore më të zakonshme midis fëmijëve që marrin stimulues krahasuar me ata që trajtohen me agonistë α2-adrenergjikë ishin vështirësia për të fjetur (21% vs 11%), mungesa e oreksit (38% vs 7%), ose ndryshimet e papritura të humorit/nervozizmi (50 % vs 29%). Përgjumja gjatë ditës (3% kundrejt 38%) ishte efekti i vetëm anësor më i zakonshëm mes fëmijëve që merrnin agonistë α2-adrenergjikë. Gjithsesi, autorët do të kenë nevojë për studime të tjera, duke përfshirë studime klinike me përzgjedhje rastësore, për të vlerësuar efikasitetin e krahasuar të dy klasave të barnave te këta fëmijë. "Ndërsa studimi ynë u përqendrua në atë se sa mirë funksionojnë barnat dhe sa tolerohen kur përdoren për të trajtuar fëmijët parashkollorë me ADHD, është e rëndësishme të kujtohet se [për këta fëmijë] terapia e sjelljes rekomandohet si një trajtim i linjës së parë", sqaroi Harstadi.


JAMA 2021. Doi: 10.1001/jama.2021.6118.
https://doi.org/10.1001/jama.2021.6118 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>